AlbanianSport.com 15.12.2016 11:15
ASNN – Futbolli në epokën “post-Blater dhe Platini” premton të bëjë shumë revolucione, madje edhe për vetë lojën më popullore në planet. Kështu, pas video-provës në fushën e blertë të rasteve të diskutueshme, Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) po mendon për një projekt revolucionar për kampionatet e ardhshme botërore.
Për të mos patur më ndeshje që karakterizohen nga marrëveshje të fshehta mes dy skuadrave, gjë që mundet të ndihmojë dy skuadrat apo njërën prej tyre, organizmi që qeveris futbollin botëror po mendon të bëjë një ndryshim të madh historik. Ka shumë gjasa që në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të FIFA-s, që është në program të mbahet me 9 dhe 10 janar 2017, të diskutohet për heqjen e barazimit, të paktën nga faza e grupeve të Botëroreve.
Kështu, qeveria e futbollit botëror ka hedhur idenë e heqjeve të barazimeve në ndeshjet në grupe, me synimin që të evitojë kombinacionet e rezultateve të disa skuadrave në dëm të kundërshtarëve. Ideja është që nëse sfidat e grupeve në fazën finale të një Botërori përfundojnë në barazim, atëherë skuadrat t’i drejtohen goditjeve të 11-metërshave.
Një ide kjo që ka shumë të ngjarë që të diskutohet në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s që do të mbahet në 9 dhe 10 janar 2017. Mbetet për t’u përcaktuar nëse fitorja me 11-metërsh do të vlejë 3 pikë apo 2. Synimi i FIFA-s është që të garantojnë shfaqje dhe të shmangin ndeshjet e rregulluara “në tavolinë” me marrëveshje të fshehta dhe të pashkruara.
Por edhe kjo masë nuk është e thënë se do të mundet t’i japë fund marrëveshjeve të tilla. Në Këshillin e FIFA-s parashikohet të flitet edhe për zgjerimin e fazës finale të Kampionatit Botëror me 48 ekipe përfaqësuese, nga 32 që janë sot, të ndara në 16 grupe me nga 3 skuadra secili. Në këtë mënyrë do të kishte një eliminim për grup dhe krijimi i turit të 32-shes.