AlbanianSport.com 15.12.2016 09:35
ASNN – Ka qenë padyshim surpriza e këtij sezoni në nivelin e dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë. Dhe Kamza po kërkon dhe synon realisht rikthimin në Kategorinë Superiore pas debutimit në sezonin 2011-2012 në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar.
Skuadra që përfaqëson një qytet prej 100 mijë banorësh shumë pranë Tiranës, apo më saktë, që qytet “satelit” të kryeqytetit, udhëheq renditjen e Grupit A, apo grupit të Veriut, në Kategorinë e Parë me 12 fitore në po aq ndeshje. Ecuria pozitive ka të bëjë me grupin e futbollistëve, të cilat kanë luajtur në Superiore në të kaluarën.
Pjesa e fundit e kampionatit është më e vështira, pasi përgjysmohen pikët dhe garojnë për ngjitjen një kategori më lart vetëm 5 vendet e para të renditjes. Një element me përvojë është mesfushori Jetmir Sefa, fitues i shumë trofeve me Tiranën dhe Skënderbeun. 29-vjeçari nuk e shikon si kalimtare aktivizimin e tij te Kamza.
Te Kamza në këtë sezon luan edhe një brazilian, i cili uron që përvoja e tij në Shqipëri të jetë e vlefshme. Kamza ndeshjen e radhës do ta ketë një përballje të vështirë në fushën e Erzenit.