Gjergj Vyshka 14.12.2016 17:05
Atmosfera në përfundim të ndeshjes me Sutjeskën nuk ka qenë ndër më të mirat në kampin e bardhebluve. Trajneri Nikola Milatoviç, me ndihmën e përkthyesit Melsin Lazimi, ka diskutuar gjatë me shefin e klubit bardheblu, Spiro Koleka. Ky i fundit ka dashur t’i tërheqë vëmendjen Hysës për mënyrën se si kishte luajtur në fushën e lojës së bashku me të rinjtë e tjerë. Jo vetëm kaq, por titullarët e kanë pasur të vështirë të deklarohen për atë që ndodhi në ndeshjen me Sutjeskën.
Të paktën Endrid Hysenagolli, i pyetur nga “Sport Ekspres”, s’ka pasur asgjë për të thënë. Dhe i vetmi që është prononcuar për mediat ka qenë shefi i klubit shumësportësh bardheblu, Spiro Koleka. “Mëkat! – ka shfryrë ai. – Kujtuan se kapën gjithçka me atë fitore ndaj Pejës dhe aty mbaroi, kur në fakt jemi ende në mesin e rrugës. Megjithatë kemi pasur dy kundërshtarët më të vështirë të grupit përballë dhe si të thuash mund të ishte e parashikueshme dhe humbja me MKK Feni Industries dhe me Sutjeskën.”
“Nuk them se ka mbaruar gjithçka përsa i përket kualifikimit për në turin e dytë të Ligës Ballkanike, sepse kemi dhe një ndeshje në fushën tonë me Karposh Sokolin dhe një fushë të huaj me Pejën. Duhet të ishim paraqitur ndryshe në këto ndeshje, sepse nuk është ky niveli i skuadrës sonë”, – ka përfunduar ish-basketbollisti i njohur, tashmë drejtues i klubit, Spiro Koleka, kurse humbja me Sutjeskën i ka bërë të gjithë keq në kampin bardheblu.