AlbanianSport.com 14.12.2016 16:20
ASNN – Ishte e pashmangshme që edhe loja më popullore në botë do t’i jepej më në fund teknologjisë dhe kështu po ndodh. Klubi japonez, Kashima Entllërs arriti në finalen e botërorit të klubeve pas fitores 3-0 kundër kolumbianëve të Atletiko Nacionalit, në ndeshjen e zhvilluar në Osaka.
Shoma Doi shndërroi në gol një 11-metërsh që ishte i pari në llojin e tij, sepse do të hyjë në historinë e futbollit pasi u akordua nga sistemi “Video Assistant Referees” (Ndihmësgjyqtarët e Videos), ose siç njihet ndryshe “përsëritja e rasteve në fushë”. Afro 1 minutë pasi kishte ndodhur ndërhyrja e parregullt, sistemi VAR njoftoi gjyqtarin kryesor i cili akordoi 11-metërshin.
Dy golat e tjerë për Kashima erdhën në fund të takimit në minutën e 82-të dhe atë të 85-të. Kashima është ekipi i parë japonez që shkon në finalen e Botërorit të Klubeve, ku do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër, CF Amerika të Meksikës dhe Realit të Madridit, takim që do të luhet të enjten.
Me herët u luajt takimi për vendin e 5-të dhe të 6-të që u fitua nga koreanët e Xheonbuk Hjundei, të cilët mundën ekipin nga Afrika e Jugut, Mamelodi Sandauns.