Gjergj Vyshka 14.12.2016 14:50
Ndeshja e Studentit me Zirat Bankasi të Ankarasë, një skuadër milionere dhe me super lojtarë, duhet t’i shkundë të gjithë për nivelin e pasqyruar nga rrjeta shqiptare, ndërsa mbetemi përsëri në nivele inferiore.
Bashkëpunëtori i vyer i faqes sonë dhe gazetari me afro 20 vjet përvojë i të gjitha të përditshmeve të mëdha sportive në Shqipëri, “Sport Ekspres”, “Panorama Sport” dhe ish-“Sporti Shqiptar”, ka bërë një analizë mjaft të thellë dhe të gjerë të gjendjes në të cilën gjendet hëpërhë volejbolli shqiptar.
Këtë analizë të tij, AlbanianSport.com jua ka sjellë në 6 pjesë, duke nisur nga e premtja, e deri të mërkurën. Sot vjen pjesa e 6-të dhe e fundit, një sugjerim mbi mundësitë e daljes nga kjo gjendje dhe ringjalljes së këtij sporti, dikur elitar.
… vijon nga dje
Një prurje masive e lojtarëve nëpër klube dikur kanë qenë dhe efekt i klasave sportive, ndërsa një shumicë klubesh kishin shkollat e tyre në patronazh. Përpara një viti është folur për një marrëveshje Ministria e Arsimit dhe e Sportit me Basketbollit për shkollat e koshit. Praktikisht, duhet të jetë dhe në volejboll, ndërsa palestrat kanë nisur të vihen në lëvizje për sportin e rrjetës.
Por shumë pak afrohen në këtë sport. As orët e fizkulturës në shtimin e tyre nuk rrisin produktivitetin e volejbollit e aq më shumë të basketbollit. Bëjmë festivale fëmijësh, por duhet një tjetër sistem që fëmijët të vijnë në këtë sport e më pas elementët e së ardhmes. Sepse, ndryshe, do të vijojmë të themi volejbolli në krizë. Deri dje jemi ankuar për mungesë infrastrukture.
Sot është duke u ndërtuar një sallë sportive në ish-kompleksin “Dinamo”. Por problemi është se kush do të luajë në vazhdim. Ndaj shkollat e volejbollin duhen rikthyer për një aksion kombëtar për gjetjen e elementëve të së ardhmes. Sepse deri më tani, parë në arenën ndërkombëtare, jo vetëm kemi mbetur pas, por jemi krejtësisht inferior. E kjo nuk ndihmon për të ardhmen e këtij sporti. Alarmi është i madh…