Gjergj Vyshka 14.12.2016 14:05
Euforia dëmton Tiranën në basketboll për meshkuj, ndërsa për skuadrën e malazezit Nikola Milatoviç është kthyer kriza e rezultateve në Ligën Ballkanike. Nëse në pjesën e parë këtij sezoni në ligën ballkanike kanë qenë katër humbje radhazi në fushë të huaj me shpresën se do të rikuperoheshin me fitoret në 4 takimet shtëpiake, tashmë dy humbjet radhazi djegin më shumë.
Janë dy humbje në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, me dy nga skuadrat më të forta të grupit, 63-72 me MKK Feni Industries dhe mbrëmë 56-79 me malazezët e Sutjeskës, që tregojnë se kthimi në këtë sallë nuk ka qenë për mbarë për bardheblutë. Ndoshta, përtej gjobave që mund të vinin nga ndërkombëtarët, ngrica dhe pleviti i “Asllan Rusit”, pikërisht në përplasjet me kundërshtarët më të fortë të grupit, do të kishte dhënë shumë më efekt.
Ashtu sikurse dha në atë përmbysje të madhe të 1 dhjetorit 2016 me Pejën në fitoren 76-73. Por pikërisht ky sukses duket se i ka ngritur në “stratosferë” bardheblutë më shpejt se çfarë duhej. Nëse mund të konsiderohet e pritshme humbja ndaj maqedonasve të MKK Fenit Industriers, disfata në Durrës për kampionat, e cila sipas bardhebluve ka ardhur për shkakun se lojtarët kanë qenë me mendje tek Sutjeska, por dhe e mbrëmshmja tregon që Tirana nuk është më me këmbë në tokë.
Është skuadra më e mirë e Superligës shqiptare me dy amerikanët Xhonson e Rame, por dhe Shimën e Hysenagollin, duke i shtuar këtu dhe Laskun, Karajn e Voglin. E megjithatë humbja me malazezët ka treguar se nuk mjaftojnë. Tirana duhet të kishte vlerësuar me të njëjtin impenjim si me Pejën dhe MKK Feni Industries e Sutjeskën, sepse me dy humbjet radhazi shtëpiake janë kompromentuar të gjitha shanset për të qenë në 4 skuadrat e kualifikuara në turin e dytë të Ligës Ballkanike nga grupi B.
Mbetet shpresa tek ndeshja e 18 janarit 2017 me Karposh Sokolin 2000, por dhe tek ndeshja në fushën e Pejës më 25 janar 2017, nëse kosovarët do të jenë në një pozicion më komod për të qenë në turin tjetër. Por dhe skuadrat e tjera nuk rrinë duarkryq, ndaj kjo humbje e djeshme, paçka se bardheblutë nuk duan ta pranojnë ende, i ka prishur planet Tiranës.