AlbanianSport.com 14.12.2016 12:35
ASNN – Përfaqësuesja e Shqipërisë në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj, Tirana, ka luajtur të martën në mbrëmje ndeshjen e 8-të në kuadër të fazës së grupeve dhe, përballë bardhebluve kanë qenë malazezët e Sutjeskës së Nikshiqit.
Dhe bardheblutë e drejtuar nga trajneri Nikola Milatoviç kanë pësuar humbjen e dytë radhazi në Ligën Ballkanike, dhe të 5-tën në këto ndeshje, teksa janë mundur 56-79 nga kryesuesja e grupit B.
Në fakt, përtej një nisjeje të mirë në minutat e fillimit, janë miqtë që e mbyllin pjesën e parë në favor të tyre, me shifrat 25-18. Edhe pjesa e dytë ka patur të njëjtën tablo dhe fitohet 22-13 nga ekipi malazez, i cili shkon në pushim të ndeshjes duke kryesuar 47-31.
Asgjë nuk ndryshon pas rikthimit në parket, pasi edhe dy pjesët e tjera janë fituar nga miqtë, përkatësisht 16-14 dhe 16-11 dhe Sutjeska fiton 76-59, duke u bërë skuadra e parë që kualifikohet për në fazën çerekfinale të Ligës Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj.
Ndërsa Tirana duhet të fitojë patjetër njërin nga dy takimet e mbetura, për të shpresuar për një vend midis 8 më të mirave të Gadishullit.