Gjergj Vyshka 13.12.2016 13:45
Federata Shqiptare e Volejbollit, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ka lajmëruar se ndeshja e parë e fazës eliminatore të Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra, e vlefshme për grupin A, Farka Volej-Teuta nuk do të zhvillohet në ora 15:00 sikurse është në kalendar.
Sipas shpjegimit zyrtar që vjen nga institucioni më i lartë i rrjetës shqiptare me kërkesën e të dyja klubeve, të cilat kanë gjetur dhe gjuhën e përbashkët, kjo ndeshje do të luhet po në sallën Nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në ora 19:00.
Kjo për arsyen e thjeshtë se volejbollistët e të dyja skuadrave janë të angazhuar në punë dhe në shkollë. E si të tillë janë të pamundur për të qenë të gatshëm ta luajnë ndeshjen e tyre në ora 15:00.
E ditën e parë të fazës eliminatore të Kupës së Shqipërisë në grupin A të volejbollit për meshkuj do ta hapë derbi Partizani-Studenti. Ndërkohë që për të shtunën e të dielën, teksa bëhet fjalë për ditën e dytë dhe të tretë të kësaj faze, oraret do të jenë ato që janë të vendosur në kalendar, ora 15:00 dhe ora 17:00.