AlbanianSport.com 11.12.2016 15:05
ASNN – Lushnja ka korrur sot fitoren 8-të në këto 12 javë të këtij sezoni të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, pasi ka mposhtur me një gol të vetëm Dinamon. Kjo ndeshje, që është sjellë drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, është vendosur në favor të myzeqarëve nga një gol i Branicës në pjesën e dytë.
Pasi ka sjellë të shtunën ndeshjen e vlefshme midis Besëlidhjes dhe Erzenit, që ishte e vlefshme për grupin A dhe që u fitua nga lezhjanët me shifrat 2-0, me nga një 11-metërsh të realizuar me sukses nga kapiteni Dritan Smajlaj për secilën pjesë loje, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë të dielën ndeshjen e vlefshme gjithashtu për javën e 12-të, por për grupin B, atë midis Dinamos dhe Lushnjës.
Kjo përballje, që u zhvillua në Kompleksin Sportiv “Internacional” në Pezë-Helmës, pranë kryeqytetit, i ka mbyllur me rrjeta të paprekura 45 minutat e para të saj. Ndërkaq, fati i saj do të vendoset në minutën e 59-të, kur Branica do të kthejë rrjetë me kokë një top të ardhur nga një goditje dënimi. Pavarsisht përpjekjeve të Dinamos, goli i peqinasit të Lushnjes do të mbetet në fuqi deri në fund të ndeshjes.
Dhe skuadra myzeqare vazhdon të kryesojë e shkëputur renditjen e grupit B, tanimë në kuotën e 28 pikëve, 6 më tepër sesa Bylisi i vendit të dytë dhe 7 më tepër sesa Shkumbini i vendit të 3-të. Java e 12-të e Kategorisë së Parë mbyllet të hënën pasdreke me takimin midis Pogradecit dhe Apolonisë, që do të sillet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.