Kupa e Shqipërisë, veprimtaria e dytë për nga rëndësia e Federatës Shqiptare të Boksit, ka nisur betejën e saj me ndeshjet e ditës së parë mbrëmë në qytetin e Shkodrës. Në programin e ditës së parë kanë qenë vetëm 5 ndeshje. Por vetëm njëra prej tyre ka tërhequr interesimin më të madh për tifozerinë shkodrane. Bëhet fjalë për duelin e peshës deri në 75 kg, atë në mes Alban Beqirit të Tiranës dhe Arjon Kajoshit të Vllaznisë.
Dy boksierë rivalë të denjë të njëri tjetrit, të cilët shorti i ka ballafaquar që në raundin e parë. Një ndeshje, e cila në të tre raundet e saj është shoqëruar me luftë të fortë sportive ku për t’u theksuar është se boksieri shkodran në më shumë se gjysmën e ndeshjes ka qenë i detyruar të vijojë garën me një dëmtim serioz në vetull. Sidoqoftë ajo që ia vlen të theksohet ka të bëjë me një anomali të krijuar ndoshta spontanisht, por që për momentin krijoi paksa konfuzion.
Qoftë në radhët e tifozerisë, por edhe mes dy stafeve përkatëse të boksierëve. Gjithçka ka ardhur në përfundim të ndeshjes kur një flamur i ngritur jo korrekt nga tavolina e gjyqtarisë ka bërë që gjyqtari i ringut t’i ngrejë dorën si fitues boksierit të Vllaznisë, Kajoshi. Ka qenë ndërhyrja me mikrofononin e sallës e kryegjyqtarit Pavllo Karaj, që ka bërë të ditur se fitorja i është dhënë gabimisht Kajoshit dhe jo, siç duhej në bazë të pikëve, Beqirit.
Gjyqtari kryesor i ringut, duke korrigjuar vendimin e parë i ngritur dorën këtë radhë boksierit bardheblu të Tiranës, Beqiri. Kjo ka bërë që përfaqësues të Vllaznisë të kërkojnë sqarime pranë tavolinës së kryegjyqtarisë, ku, pas verifikimeve të rastit, janë bindur për një gjë të tillë, duke u mbyllur gjithçka pa problem mes palëve. Në ndeshjet e tjera të ditës së parë dy boksierët shkodranë, Mario Vida dhe Vuksan Guri kanë fituar ndeshjet e tyre.
I pari për mosparaqitje të kundërshtarit të tij dhe i dyti me rezultat të ngushtë 2-1. Me mosparaqitje të kundërshtarit ka fituar edhe boksieri durrsak Murja, ndërkohë që fieraku Arnold Kuqari ka mundur pastër 3-0 rivalin e tij Stavrion Pali të Tiranës. Ndeshjet e ditës së dytë, të cilat janë edhe ato finale, po zhvillohen sot paradite, duke nisur nga ora 11:00, në Pallatin e Sporti “Qazim Dervish” të Shkodrës.
Kupa e Shqipërisë në Boks 2016
Rezultatet teknike të ditës së parë:
49 kg Vida (Vllaznia) – Qekaqi (Vllaznia)
(fiton Vida me AB për mosparaqitje të kundërshtarit)
52 kg Murja (Teuta) – Guri (Vllaznia) 2-1
64 kg Domi (Teuta) – Mema (Teuta)
(fiton Mema me AB për mosparaqitje të kundërshtarit)
69 kg Pali (Tirana) – Kuqari (Apolonia) 0-3
75 kg Kajoshi (Vllaznia) – Beqiri (Tirana) 1-2