Gjergj Vyshka 11.12.2016 10:25
Nga data 31 gusht, deri më 15 shtator kuqezinjtë e trajnerit Antonis Kostantinides do të luajnë shanset në arenën ndërkombëtare. Sekretari Llazani: “Skuadra të vështira, por mundet të jemi dinjitozë”. Kështu, Austria e Holanda do të jenë kundërshtarët e Shqipërisë në basketboll për meshkuj për Eliminatoret e Kampionatit Botëror “Kinë 2017”.
Në fakt është turi paraeliminator, ndërsa janë gjithsej 14 skuadra, të cilat do të luajnë me sistemin vajtje-ardhje nga data 2, deri më 19 gusht. Shqipëria ndodhen në grupin B me kundërshtarë përgjithësisht të panjohur, por që në nivel janë më lart se sa kuqezinjtë. Dhe këtë fakt e pranojnë dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Por me atë paraqitje që kuqezinjtë bënë në verën e kaluar në Eliminatoret e Evropianit, teksa arritën të fitonin ndaj Sllovakisë në Tiranë, 72-65, atëherë shanset për një paraqitje dinjitoze janë të mëdha. Për Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, nëse grupi i lojtarëve do të jetë i plotë duke përfshirë dhe lojtarë që për arsyet e tyre munguan në Eliminatoret e Evropianit, të tillë si Klaudio Ndoja, atëherë Shqipëria do të mund të jetë dinjitoze.
“Austria dhe Holanda janë më lart se sa ne, por kjo nuk do të thotë që s’do të mund të jemi dinjitoz përballë tyre duke luajtur deri në fund shanset tona”. Ndërkohë edhe Kosova ka mësuar kundërshtarët e saj, ndërsa në grupin C do të jetë përballë Maqedonisë dhe Estonisë. Sidoqoftë, tashmë kuqezinjtë i dinë kundërshtarët dhe pritet që përfaqësimi të jetë më i mirë se vitin e kaluar, sikurse duhet të ndodh me të rriturit ndaj Austrisë dhe Holandës.