AlbanianSport.com 10.12.2016 15:15
ASNN – Pavarsisht se kishte premtuar ta rishikonte formulën dhe të shpërndante më shumë për më të vegjëlit, duket se edhe presidenti i ri, Aleksandër Çeferin është dorëzuar përpara të mëdhenjve të “topkëmbës evropiane”. UEFA nuk ndërron mendje përsa i përket reformës së re të Ligës së Kampioneve, që do të hyjë në fuqi që nga sezoni 2018-2019.
Komiteti Ekzekutiv i organizmit që qeveris futbollin kontinental, në mbledhjen e tij të radhës vendosi të miratojë formatin e ri të kësaj veprimtarie, duke hedhur poshtë lajmet e publikuara së fundmi për një modifikim apo anulim të tij. Formati i ri i Ligës së Kampioneve parashikon që kampionateve të vendeve më të mëdha evropiane të kualifikojnë direkt në fazën e grupeve 4 skuadrat e para të tyre.
Dhe ato që përfitojnë janë La Liga spanjolle, Bundesliga gjermane, Premier Liga Angleze dhe Seria A e Italisë. Sipas rregullores së re të miratuar në Nion, në fazën e grupeve do të kualifikohen direkt 26 skuadra, ndërsa 6 ekipet e tjera do të duhen të luajnë ndeshjen e turit eliminator. Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA u përcaktuan edhe detaje të tjera siç është sistemi i ri i koeficientëve për klubet.
Skuadrat do të gjykohen në mënyrë individuale dhe në përllogaritjet e tij do të merren parasysh edhe sukseset e tyre në historinë e Ligës së Kampioneve. Shpërblimet financiare për klubet pjesëmarrëse në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Evropës do të rriten në mënyrë të ndjeshme. Shpërndarja e tyre do të bëhet duke u bazuar kryesisht te paraqitja e skuadrave në fushën e lojës.
Por jo vetëm kaq, Liga e Kampioneve do të ndryshojë edhe orar. Formati i ri parashikon që për ditët e përcaktuara për këtë veprimtari, 2 ndeshje do të luhen në orën 19:00, ndërsa 6 të tjerat në orën 21:00, një sistem ky i ngjashëm me atë të Ligës së Evropës. Në fund, UEFA vendosi që finalja e Ligës së Evropës në vitin 2018 të luhet në Lion të Francës.