AlbanianSport.com 10.12.2016 12:30
ASNN – Në fakt, mbetet një mister se çfarë mund të kishte qenë sulmi shqiptar në Evropianin e verës në Francë nëse ai do të ishte thirrur dhe do të luante me fanellën kuqezi. Kjo sepse Besart Berisha vazhdon të tregojë aftësitë e tij të shkëlqyera në kampionatin australian të futbollit.
Sulmuesi shqiptar realizoi sot 3 gola në fitoren e pastër 3-0, që skuadra e tij, Mellbërn Viktori në fushën e Uestern Sidni Uondërërs. Goli i parë i tij erdhi në minutën e 32-të, kur në kufijtë e skajshëm të pozicionit jashtëloje, ndoqi aksionin, duke përfituar nga grushtimi i portierit kundërshtar, për të kaluar skuadrën e tij në epërsi.
Mellbërni nuk e uli ritmin e lojës dhe në të 66-ën minutën, pas një harkimi nga e djathta e sulmit, Berisha dogji në kohë kundërshtarin, duke realizuar me kokë golin e dytë të ndeshjes. Sidoqoftë,, 31-vjeçari i lindur në Prishtinë nuk u kënaq me kaq, pasi në të 82-ën plotësoi 3-golëshin e tij.
Ai u shkëput fuqishëm, siç bën rëndom, duke lënë pas mbrojtësit kundërshtarë për të shënuar edhe golin e tretë. Tre golat e shënuar në vizitën e Sidnit e ngjisin futbollistin e lindur në Prishtinë në vendin e parë të golashënuesve ne Australi. Deri më tani në këtë sezon, ai ka shënuar 8 gola, 1 më shumë se uruguajani i Mellbërn Sitit, Fornaroli.