AlbanianSport.com 09.12.2016 21:40
ASNN – Java e 15-të e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka ngritur sonte siparin me takimin e parë, atë midis Teutës dhe Skënderbeut, që u mbyll me rrjeta të paprekura. Kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:00.
Sfida që u luajt në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit vuri përballë njëra-tjetrës dy skajet e renditjes, pasi vendasit ndanin vendin e 8-të dhe të 9-të me Laçin, me nga 11 pikë secila, ndërsa korçarët ndanin kreun e renditjes me Kukësin, me nga 28 pikë. Por korçarët nuk shkuan dot përtej barazimit 0-0 me Teutën, duke regjistruar ndeshjen e tretë radhazi me këtë rezultat.
Në “Niko Dovana”, skuadra mike e trajnerit Andrea Agostineli krijoi mjaft raste për shënim në pjesën e parë, mirëpo nuk mundi ta gjente rrugën e golit. Pas pushimit vendasit e ekuilibruan lojën, ndërsa sërish sulmuesit korçarë nuk ishin në gjendje të finalizonin rastet e krijuara.
Me këtë pikë, Skënderbeu shkëputet i vetëm në krye, me një pikë më tepër sesa Kukësi që ka luajtur një ndeshje më pak. Kurse Teuta ngjitet në kuotën e 12 pikëve, në vendin e tetë. Katër takimet e tjera të javës së 15-të luhen të shtunën dhe, duke nisur nga ora 14:00, Vllaznia pret në Shkodër Luftëtarin.
Ndërsa, po në të njëjtën kohë, Flamurtari është mysafir në Kukës për t’u ndeshur me skuadrën vendase. Ndërkaq, duke nisur nga ora 17:00, zbresin në fushën e blertë dy ekipet kryeqytetase. Tirana do të presë në Stadiumin “Selman Stërmasi” Korabin e vendit të fundit, ndërsa në shtëpinë e tyre të improvizuar, në “Elbasan Arena”, Partizani do të përballet me Laçin.
Kategoria Superiore
Java e 15-të
Të premten:
Teuta – Skënderbeu 0-0
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës
Të shtunën:
Vllaznia – Luftëtari (14:00)
Stadiumi “Loro Boriçi”, Shkodër
Kukësi – Flamurtari (14:00)
Stadiumi “Zeqir Ymeri”, Kukës
Tirana – Korabi (17:00)
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë
Partizani – Laçi (17:00)
Stadiumi “Elbasan Arena”, Elbasan