AlbanianSport.com 08.12.2016 18:55
ASNN – Alban Bushi dhe Erjon Bogdani janë trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave të Shqipërisë, atij të Nën-21-vjeçarëve dhe atij të Nën-19-vjeçarëve. Dy ish-futbollistët e Kombëtares shqiptare kanë marrë të premten detyrën e drejtimit të këtyre ekipeve kuqezi. Eksperiencën e tyre si futbollistë elitarë ata dëshirojnë t’ua përcjellin edhe futbollistëve të moshave, në ekipet që do të drejtojnë.
Alban Bushi dhe Erjon Bogdani janë emrat e rinj që do të drejtojnë dy ekipet kombëtare të Shqipërisë, të Nën-21-vjeçarëve dhe të Nën-19-vjeçarëve. Ka qenë Paolo Tramexani, Drejtori i Ekipeve Kombëtare ai që i ka prezantuar dy ish-futbollistët e Kombëtares shqiptare. Ai ka theksuar se futbollistët e rinj duhet të marrin shembull nga ajo çka Bushi dhe Bogdani kanë dhënë në fushën e futbollit.
Alban Bushi ka pranuar se edhe pse nuk ka eksperiencën e duhur për drejtimin e kombëtares së Nën-21-vjeçarëve, apo, siç njihen ndryshe, Shpresat, me ndihmën e Xhovani De Biazit dhe FSHF-së do të dijë të realizojë objektivat. Ndërsa Erjon Bogdani ka theksuar se ai i realizon të gjitha detyrat që merr përsipër. Bushi dhe Bogdani kanë zëvendësuar përkatësisht Redi Jupin dhe Arjan Bellain tek Nën-21 dhe Nën-19-vjeçarët.