Gjergj Vyshka 08.12.2016 18:00
Ndeshja e Studentit me Zirat Bankasi të Ankarasë, një skuadër milionere dhe me super lojtarë, duhet t’i shkundë të gjithë për nivelin e pasqyruar nga rrjeta shqiptare, ndërsa mbetemi përsëri në nivele inferiore.
Bashkëpunëtori i vyer i faqes sonë dhe gazetari me afro 20 vjet përvojë i të gjitha të përditshmeve të mëdha sportive në Shqipëri, “Sport Ekspres”, “Panorama Sport” dhe ish-“Sporti Shqiptar”, ka bërë një analizë mjaft të thellë dhe të gjerë të gjendjes në të cilën gjendet hëpërhë volejbolli shqiptar.
Këtë analizë të tij, AlbanianSport.com do t’jua sjellë në 6 pjesë, duke nisur nga sot, pra, të premten, e deri të mërkurën. Sot vjen pjesa e parë, një retrospektivë e asaj se ku ishte rrjeta shqiptare dhe ku është tani.
Volejbolli shqiptar të mërkurën ka vërtetuar përfundimisht se është në një krizë të thellë niveli e rezultatesh. E për më tepër ka mbetur 26 vjet prapa krahasuar me Evropën, po pse jo dhe me vendet e rajonit. Ajo që mund të përkthehet nga ndeshja e së mërkurës është se të gjithë duhet të ulen me këmbë në tokë dhe të zgjidhin e t’u përgjigjen pyetjeve “Ku jemi?” dhe “Çfarë do bëjmë”. Sepse kjo lëngatë nuk është e tanishme, por si rrjedhojë e një “lumi” të turbullt që ka kaluar volejbolli shqiptar në këto vite.
Një volejboll që mund të ndeshet vetëm me ekipe të Kosovës, shqiptarët e Maqedonisë dhe asgjë më shumë. Sepse të gjithë vendet e Ballkanit që nga Turqia, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia apo gjithkush tjetër punuan, u stërviten dhe u rritën duke luajtur si në veprimtaritë kombëtare, ashtu dhe ato ndërkombëtare. Brezat ndërruan njëri-tjetrin, u shtuan nivelet dhe rrjedhimisht erdhën dhe financat. Janë katër vende Ballkani që sistematikisht ne i kemi mundur qoftë në kombëtare, qoftë në klube.
Ndonëse të paktën në Ballkan na “haste sharra në gozhdë” me ish-Jugosllavinë, Rumaninë dhe Bullgarinë, por dhe atëherë ishim dinjitozë. Për të mos thënë që të tillë kemi qenë edhe në perëndim, aq më shumë që sot, jo më për nostalgji, por ende përmenden fitoret e Dinamos më 1983 me francezët e Kanës, 3-1; më 1985 me grekët e Panathinaikosit 3-2 dhe më 1989 me serbët e Vojvodinës 3-0. E në të njëjtin nivel, ndoshta diçka më shumë, kemi pasur dhe femrat.
Kurse sot luajmë dhe jemi inferior në arenën ndërkombëtare, aq sa dhe kur transmetohet në TVSH, vjen natyrshëm një pyetje nga pas: “për këtë nivel volejbolli lodhemi ne?”. Sepse punohet, por nuk prodhohet dhe kjo është fatkeqësia e volejbollit shqiptar.
Vijon nesër…