Gjergj Vyshka 08.12.2016 15:15
Luiza Gega, e vogla e artë e atletikës shqiptare, e cila është dhe nënkampione e Evropës në 3,000 metra me pengesa, të shtunën do të niset drejt Itenit të Kenias për një periudhë përgatitore dy mujore. Pas 5 ditësh do t’i bashkohet asaj dhe trajneri Taulant Stërmasi e të dy së bashku, ndryshe nga herët e tjera, ndërrimin e viteve do ta festojnë në shtetin afrikan.
“Sepse, – thotë Stërmasi, – do të jetë një stërvitje intensive dymujore. E bëjmë këtë sepse këtu është e pamundur për t’u stërvitur, temperaturat janë duke ardhur gjithnjë në ulje dhe vetëm atje mund të rritet forma sportive. Grumbullimi është i domosdoshëm, sepse dhe sportistja duhet të jetë e qetë dhe të jetë e fokusuar tek stërvitja. Jam vetëm unë me Lizën, pasi mezi po i plotësojmë fondet financiare.”
Ndërkohë përsa i përket dëmtimit të nënkampiones së Evropës, Stërmasi do të deklaronte: “Nuk ka më asnjë shqetësim prej mëse dy muajsh. Na u deshën tre javë pas Olimpiadës, që të mos ndinte dhimbje. Me terapi, sigurisht që u qetësua”. Kështu Luiza Gega për dy muaj, ndërsa nuk është vendosur gara e saj e ardhshme, do të jetë në Iten të Kenias.