Gjergj Vyshka 08.11.2014 14:35
Prej muajsh, Federata Shqiptare e Volejbollit dhe kryesia e saj ka marrë vendimin që të mblidhet çdo muaj ekipi kombëtar i të rriturve dhe të rriturave. Por sipas trajnerit Ylli Tomorri, deri më tani nuk ka ndodhur kjo gjë.
“Nëse do të ketë grumbullim të kombëtares çdo muaj edhe lojtarët mbahen në tonus, – ka deklaruar trajneri i kuqezinjve të rrjetës. – Sepse kemi lojtarë të rinj në kampionat që mund t’i shërbejnë kësaj përfaqësuese.”
“Dy nga Farka Volej, dy nga Teuta, dy nga Vllaznia, apo dhe nga ekipet e tjera krijohet një bërthamë e mirë. Pastaj nëse vijnë me periudha kur kanë kohë Xhelati, Husaj, apo dhe Troka, atëherë gjërat bëhen më mirë”, – ka theksuar ai.
“Jo vetëm kaq, por Federata Shqiptare e Volejbollit nuk na ka mbledhur njëherë të na dëgjoje. Ose të paktën të na mandatojë dhe të ndërtojmë strategjinë për të ardhmen. Kjo nuk është normale”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares së volejbollit të meshkujve, Ylli Tomorri.