Gjergj Vyshka 08.12.2016 17:55
Trajneri i Studentit, Arben Sako, në përfundim të ndeshjes me Zirat Bankasi Ankara ka deklaruar se kjo ka qenë skuadra më e mirë evropiane që ka ardhur në 20 vitet e fundit në vendin tonë. “Për mua, – thotë Sako, – kjo skuadër është që tani në 3 apo 4 skuadrat më të mira në Turqi.”
“Që do të thotë se është pretendente kryesore për të dalë fituese e “Challenge Cup”, – ka vijuar ai. – Aq më tepër që edhe mbështetjen financiare e buxhetet i ka në shifra marramendëse. Unë jam i kënaqur nga skuadra, ndërsa mundësitë këto janë. Ndoshta me pak më tepër seriozitet dhe më përgjegjësi te lojtarët, ne mund të arrinim një tjetër rezultat.”
“Nuk po them që do të fitonim, por që mund të shënonim më tepër pikë, – ka vijuar trajneri Sako. Megjithatë kemi edhe një ndeshje tjetër në fushë të huaj. Besoj se skuadrën kundërshtare tani e njohim. Do të bëjmë të pamundurën që atje të tregojmë vlerat e volejbollit, jo vetëm të Studentit, por edhe atij shqiptar.”