AlbanianSport.com 07.12.2016 16:15
ASNN – Ndeshja e radhës e Kampionatit Kombëtar të Futbollit, për Nën-19-vjeçarët, ajo midis Tiranës dhe Partizanit, është mbyllur në barazim 1-1. Fillimisht kalojnë në epërsi bardheblutë me anë të Geqajt, dhe më pas barazon Vatnikaj për Partizanin. Kështu, Tirana dhe Partizani për Nën-19 vjeçarët, janë ndarë në barazim 1-1.
Derbi i kryeqytetit për këtë grupmoshë është zhvilluar të mërkurën në fushën e Kompleksit “Internacional” në Pezë-Helmës dhe është transmetuar drejtpërdrejt nga Televizioni Shqiptar. Ndeshja nis më mirë për Tiranës, që në minutën e 11-të, kalon menjëherë në epërsi.
Geqaj godet fort nga krahu i djathtë i sulmit të vet, topi devijohet nga një mbrojtës i Partizanit dhe më pas përfundon në rrjetë. Kundërpërgjigjet menjëherë Partizani. (14) Selgjeka provon të shënojë me një roveshjatë brenda zonës së bardhebluve, por topi përfundon jashtë. Të kuqtë nuk dorëzohen dhe arrijnë të barazojnë në minutën e 28-të.
Banushi gjuan dhe godet shtyllën horizonta. Topin e rikthyer Vatnikaj e çon në rrjetë, teksa ndodhej fare pranë portierit të Tiranës, Sefgjikaj. Pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1. Megjithë përpjekjet, ky rezultat nuk ndryshon deri në fund të takimit, edhe kur Prodani me kokë nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë fare pranë portës së bardhebluve.