AlbanianSport.com 07.12.2016 15:25
ASNN – Ndërkohë që Studenti do të zhvillojë duke nisur nga ora 16:00 ndeshjen e parë të turit të parë të “Çellenxh Kap” me turqit e Ankarasë, që do të transmetohet në TVSH 2 dhe RTSH Sport, një tjetër ndeshje e rëndësishme zhvillohet në mbrëmje. Bëhet fjalë për ndeshjen e 7-të të Tiranës në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj, atë kundër maqedonasve të MKK Feni Indastries.
Bardheblutë vijnë në sfidën e sotme pasi kanë korrur 3 fitore dhe kanë pësuar 3 humbje në 6 ndeshjet e deritanishme. Tirana mban aktualisht vendin e dytë në grupin B, me 9 pikë, një më tepër sesa kundërshtarja e sotme, që sidoqoftë, ka luajtur një ndeshje më pak. Bardheblutë e kanë humbur ndeshjen e parë, të zhvilluar në Maqedoni, po vijnë në ndeshjen e sotme duke kërkuar të hakmerren.
Aja janë të nxitur edhe nga dy fitore radhazi në këtë veprimtari. E veçanta e sfidës së sotme është se Tirana rikthehet në shtëpinë e saj, në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet. Ky mjedis sportiv i është nënshtruar një rinovimi të plotë, duke ofruar kushte më komode, si për skuadrat në dhomat e zhveshjeve dhe pjesën e zyrtarëve, ashtu edhe në sallën e lojës, për sportistët dhe sportdashësit.