Gjergj Vyshka 07.12.2016 14:35
Arjan Fetishaj, trajneri i Shqipërisë në not në Kampionatin Botëror të Pishinave të Shkurtëra në Uindsor të Kanadasë, ka pranuar për “Sport Ekspres” që të bëjë një analizë të ditës së parë me të mirat e të këqijat e rezultateve të notarëve tanë. “Franc Aleksi, – thotë Fetishaj, – në 400 metra stil i lirë ka realizuar kohën e një viti më parë. Frenc Berdaku mbetet në kohën e kampionatit kombëtar, ndërsa mund dhe duhet ta kishte bërë më mirë garën e tij.”
“Diana Basho rikthehet me përmirësim të rezultatit, edhe pse pak në kohë, – ka vijuar trajneri. – Le të jetë një sinjal i mirë për të pas një viti mundim me rezultate në vendnumëro. Alesia Neziri është paraqitur dobët në 200 metra stil i lirë, ndërsa mund të bënte më shumë dhe më mirë. Kejsi Delli ka përmirësuar kohën e saj dhe është pozitive për të”. E mandej Fetishaj është ndalur tek rekordmenët Libohova dhe Baholli. “Kenet Libohova thyen rekordin kombëtar në 100 metra shpinë”, – ka pohuar ai.
“Është një kohë me të vërtetë e mirë. Deni Baholli, edhe pse me vetëm disa të qindtat e sekondave, ka thyer rekordin kombëtar në 100 metra bretkosë. Në të vërtetë shpresojmë diçka më mirë në garat e ardhshme. Mua s’më mbetet gjë tjetër, veçse t’i uroj suksese notarëve. Askush nuk duhet të ma keqkuptojë analizën, sepse ishte transparente dhe pa tendenca në punën e tyre”, – ka përfunduar Fetishaj nga Uindsori i Kanadasë.