AlbanianSport.com 07.12.2016 13:45
ASNN – Në Evropë luajnë qindra futbollistë të rinj, të cilët janë nga Kosova ose kanë prejardhje nga vendi ynë, shkruan sot gazeta e Kosovës, “Zëri”. Njëri prej tyre është edhe Sead Haksabanoviçi. Supertalenti me nënshtetësi suedeze konsiderohet si njëri prej talenteve më të mëdhenj në Skandinavi.
Dhe, sipas mediave suedeze, ai ka rrënjë nga Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria, prandaj ka drejt ta përfaqësojë ndonjërin prej këtyre vendeve, krahas Suedisë. Hëpërhë, ylli i ri i Halmstadit militon në radhët e ekipit përfaqësues të Nën-17-vjeçarëve të Suedisë, por suedezët nuk janë të sigurt nëse ai do të vazhdojë ta përfaqësojë këtë vend edhe në ekipin A.
“Jam takuar me drejtuesit e Federatës malazeze”, – ka thënë babai i Seadit për të përditshmen suedeze, “SVT Sport”. Haksabanovic i ka zhvilluar 30 ndeshje me Halmstadin në sezonin që shkoi në Superettan (liga e dytë suedeze) duke realizuar 8 gola.
Ndërkohë që ka dhuruar edhe 7 pasime për gol, pavarsisht moshës tejet të re. “Momentalisht, Suedia mbetet prioritet. Mirëpo, nuk mund të premtoj se nesër nuk do të shkoj diku tjetër. Do të vendos kur të mendojë se është i gatshëm për të qenë pjesë e një skuadre të parë përfaqësuese”, – ka shtuar babai i futbollistit.