Gjergj Vyshka 06.12.2016 13:30
Trajneri i kampionëve në fuqi të volejbollit shqiptar të meshkujve: “Zirat Bankasi Ankara është një skuadër me një buxhet prej 3 milion euro e që ka lojtarë të nivelit botëror. Por ne do të shfaqemi në mënyrë dinjitoze.”
Studenti meshkuj është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve të saj për ndeshjen e parë në Challenge Cup në Evropë. Bëhet fjalë për përballjen me Zirat Bankasi Ankara, që sipas trajnerit të Studentit, Arben Sako, është në vendin e parë në kampionatin turk.
Jo vetëm kaq, por është një skuadër me një buxhet prej 3 milionë eurosh dhe që ka lojtarë të nivelit botëror si amerikani Dejvid Li, italiani Savani dhe Nilsen. “Në dukje është një ndeshje që s’do të ketë histori”, – ka thënë trajneri.
“Por ne do të tregojmë se sa vlen volejbolli shqiptar”, ka thënë Sako në intervistën e tij për “Sport Ekspres”, që AlbanianSport.com jua sjell këtu. Ndeshja luhet të mërkurën, duke nisur nga ora 16:00 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.
– Cila është gjendja e skuadrës në prag të ndeshjes së parë me turqit e Zirat Bankasi Ankara?
– Jemi duke u stërvitur seriozisht pavarësisht paraqitjes që treguam në fazën e parë të kampionatit. Shpresojmë të bëjmë më të mirën, edhe pse mund të jetë më shumë e vështirë.
– Ju ka shqetësuar gjendja me shumë luhatje e ekipit në fazën e parë?
– Studenti është një skuadër e sapoformuar dhe kjo nga fillimi. Dhe këto luhatje janë mëse të pranueshme derisa Studenti të arrijë në atë pikë që ne presim. Megjithatë në të ardhmen do të tregojmë se jemi një skuadër që do të kemi rritje në lojën tonë duke pretenduar dhe trofe, ashtu siç e ka traditë Studenti.
– Ardhja e Deliut dhe e Koçit si përforcim nga Farka Volej ishte domosdoshmëri për një Student ndryshe në arenën ndërkombëtare?
– Në ndeshjen që kemi nesër ndaj skuadrës turke duhet të dini që Studenti nuk përfaqëson vetëm veten dhe klubin, por të gjithë volejbollin shqiptar. Përballë do të kemi një kundërshtar që për mua do të jetë në katër ekipet më të mira të Evropës. Por kjo nuk na shqetëson. Përkundrazi do të bëjmë ç’të jetë e mundur për të dhënë më të mirën e volejbollit shqiptar. Ardhja e Deliut dhe Koçit do t’i japë Studentit mundësinë për një paraqitje më të mirë në arenën ndërkombëtare.
– Në dijeninë tuaj çfarë kundërshtari është Zirat Bankasi Ankara?
– Zirat Bankasi Ankara për momentin është në vendin e parë në kampionatin turk. Ka një buxhet mbi 3 milion euro dhe në skuadër ka lojtarë të nivelit botëror. Mjafton të përmendesh kapitenin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dejvid Li, dhe kupton se çfarë ekipi. Pa harruar këtu italianin Savani, apo dhe Nilsenin, që është një nga diagonalistët më të mirë në Evropë. Përveç kësaj dhe tre lojtarë të përfaqësueses turke turke. Pra volejbolli ynë duhet të mësojë shumë nga ky nivel i lartë i volejbollit turk, që në Tiranë do të vijë nëpërmjet Zirat Bankasi Ankara.
– Cili është mesazhi juaj për të gjithë sportdashësit në prag të kësaj sfide, edhe pse ndoshta luhet në një orar të papërshtatshëm?
– Meqë jeni një gazetë që i rrini afër volejbolli dhe shumë e lexueshme gjej rastin që nëpërmjet jush t’i ftoj të gjithë ata që e duan këtë sport. Në dukje është një ndeshje që nuk do të ketë histori, por ne do të tregojmë se sa vlen realisht volejbolli shqiptar.
– Së fundi, ndonjë falënderim për ata që ju kanë ndihmuar në këtë nisëm?
– Në këtë intervistë gjej rastin të falënderoj të gjithë ata që po mbështesin Studentin, por në mënyrë të veçantë shefin e klubit, Blendi Nallbani, që me punën e tij bën të mundur mbarëvajtjen e ekipit.