AlbanianSport.com 06.12.2016 08:55
ASNN – Flamurtari-Tirana dhe Partizani-Kukësi janë ndeshjet që do të mbyllin javën e 14-të të Kategorisë Superiore. Në Vlorë të dy skuadrat vijnë me mungesa të rëndësishme. Flamurtari-Tirana, tashmë zbret në fushë, pas shtyrjes prej 24 orësh. Sot pritet një ndeshje e luftuar në Vlorë, pavarsisht objektivave të kundërt që kanë të dyja skuadrat.
Trajneri i Flamurtarit, Gentian Mezani, në një dalje të tij për mediat, ka konfirmuar se pret në ndeshjen e së martës nje Flamurtar që do të kërkojë vetëm fitoren, duke patur në konsideratë faktin se pikët janë jetike në këtë fazë. Sipas tij, i vetmi favorizim për Flamurtarin, nuk është shtyrja e ndeshjes, por thjesht fakti që vlonjatët do të luajnë në fushën e tyre.
Ndërkohë, referuar faktit se zgjidhja e situatës finaciare është një motiv më shumë për lojtarët në fushë, Mezani ka sqaruar se edhe deri më tani, pavarsisht problemeve që kaloi skuadra, futbollistët e kishin mendjen në fushë. Megjithatë ai nuk e përjashton rritjen e motivimit pas kalimit te rrogave.
Trajneri vlonjat ka një mesazh referuar 6 pikëve të hequra, që, sipas tij, i takojnë Flamurtarit dhe duhen rikthyer, pasi janë fituar në fushën e lojës. Tek Flamurtari pritet të ketë mungesa, si ajo e Zeqirit, ndërsa po shihet me vëmendje edhe situata e Veliut apo Shkodrës, lojtarë për aktivizimin e të cilëve do të vendoset para ndeshjes, ndërkohë që qëllimi dhe objektivi mbetet fitorja.