AlbanianSport.com 05.12.2016 14:35
ASNN – Sipas mediave të Prishtinës, vetëm Federata e Shahut të Kosovës nuk e ka mbajtur ende Kuvendin Zgjedhor, të detyrueshme për këtë vit olimpik. Ndërkohë, Kuvendin për të zgjedhur organet që do t’i drejtojnë në 4 vitet e ardhshme e kanë mbajtur të gjitha 36 federatat tjera sportive, që janë të regjistruara në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK).
Por vetëm tri prej tyre kanë pësuar ndryshime në postin më të rëndësishëm, atë të kryetarit, shkruan sot e përditshmja e mirënjohur e Kosovës, “Koha Ditore”. Me kryetar të ri tashmë janë Federata e Karatesë, ajo e Tenisit dhe ajo e Shenjëtarisë (Qitjes). Në federatat e tjera ka pasur ndryshime në poste të nënkryetarëve dhe anëtarëve të Bordit, por kryetarët kanë mbetur, disa prej të cilëve i mbajnë postet prej dhjetëvjeçarësh tashmë.
Me ndryshimet e pakta nëpër federata edhe struktura në Kuvendin zgjedhor të KOK-ut, i parashikuar për më 21 dhjetor, pritet të jetë thuajse e njëjtë me kuvendet e kaluara të organizmit që qeveris lëvizjen olimpike në Kosovë. Me pak fjalë, Federatat sportive po shkojnë drejt sfidave të reja… me kryetarë të vjetër!?