AlbanianSport.com 04.12.2016 11:55
ASNN – Sport më i suksesshëm në arenën ndërkombëtare, peshëngritja, e rikthen sërish Shqipërinë si destinacion të veprimtarive madhore sportive. Tanimë është konfirmuar se Kampionati i ardhshëm Evropian i Peshëngritjes për Të Rinj dhe Nën-23-vjeçarët do të mbahet në Tiranë nga data 15, deri më 22 tetor 2017.
Tanimë është zyrtare: Kampionati Evropian i Peshëngritjes për Të Rinj dhe Nën-23-vjeçarët do të mbahet në Tiranë nga data 15, deri më 22 tetor 2017. Federata Evropiane e Peshëngritjes, e cila është mbledhur në Eliat të Izraelit, atje ku është duke u zhvilluar Kampionati Evropian i Peshëngritjes për Të Rinj dhe Nën-23-vjeçarët për këtë vit, ka vendosur zyrtarisht për datat e kësaj veprimtaria për vitin 2017.
Fillimisht ishte thënë se do të mbahej në kryeqytetin shqiptar nga data 22 nëntor-2 dhjetor 2017 në Tiranë. Por tashmë është zyrtare, teksa ky kampionat do të zhvillohet në shqipëri në javën e 3-të të tetorit të vitit të ardhshëm. Ky lajm është bërë i ditur nga Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni.
Ndërsa gjithçka është zyrtarizuar edhe nga Presidenti i Federatës Evropiane, Antonio Urso. Ndërkohë Shqipërinë në këtë Kampionat Evropian të Peshëngritjes për Të Rinj dhe Nën-23-vjeçarët, që është duke u zhvilluar në Eliat të Izraelit, do ta përfaqësojë Emanuel Lushi i peshës 62 kg, atje ku shpresohet për një medalje ndërkombëtare.