Nga Gjergj Vyshka 04.12.2016 14:35
Tirana e basketbollit të meshkujve është autoritare edhe me Kamza Basket, teksa dje ka sigluar fitoren e 7-të radhazi në 7 ndeshje kampionati. Fitorja e Kupës së Shqipërisë, por mbi të gjitha fitorja ndaj Pejës në Ligën Ballkanike e ka një skuadër më me dëshirë në fushën e lojës. Aq sa tashmë të 12 lojtarët e trajnerit Nikola Milatoviç janë në garë me njëri-tjetrin për një vend në 5-shen titullare.
Ndryshe nga ndeshja me Pejën, malazezi i Tiranës në nisje e ka ulur amerikanin Rame në stol dhe krahas Shimës, Hysenagollit, Xhonsonit, Laskut, në rolin e organizatorit është Karaj. Është dita e Genti Laskut, që me 36 pikë të shënuar, teksa ka sigluar pesë 3-pikësha, u ka dhënë një dorë të mirë bardhebluve. Por nuk kanë mbetur më pak të tillë edhe Vogli, me dy 3-pikëshat e tij për aq kohë sa luajti.
Por edhe Karaj, Rame, Gjyzeli me dy 3-pikësha, apo dhe Hysa, që nga largësia nuk kanë falur. Kamza Basket është munduar, por dhe atëherë kur dilte në epërsi, shumë shpejt binte. Birçaj, Hamati, Llazani e Fjolla, por mbi të gjitha Ergys Muhametaj me tre 3-pikësha, janë munduar të rivalizojnë me Tiranën. Por ka qenë shumë pak, ndërsa bardheblutë vijojnë të jenë të pathyeshëm.
Me pak fjalë, ndeshja e djeshme ndaj Kamza Basket ka shërbyer edhe si një test kontrolli përpara takimit të së mërkurës me maqedonasit e MKK Feni Industries në Ligën Ballkanike.
Kampionatit Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 7-të
(3 dhjetor 2016)
Të shtunën:
Teuta – Ardhmëria Basket 71-52
Flamurtari – Vllaznia 81-88
Tirana – Kamza Basket 113-90
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Tirana 7 7 0 632-474 14
- Teuta 7 5 2 539-436 12
- Vllaznia 7 4 3 519-496 11
- Kamza Basket 7 3 4 536-556 10
- Ardhmëria Basket 7 2 5 464-445 9
- Flamurtari 0 7 345-629 8