AlbanianSport.com 02.12.2016 12:55
ASNN – Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, luan në fundjavë ndeshjet e javës së tij të 11-të në të dy grupet. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga një ndeshje të premten, të shtunën dhe të dielën.
Takimi që ngre sot siparin e javës dhe që do të sillet drejtpërdrejt në kanalin e dytë tokësor të transmetuesit publik, TVSH 2, është ai i Pukës midis Tërbunit dhe Besëlidhjes. Kjo ndeshje, që nis në ora 14:00, do të vërë përballë dy skajet e renditjes së grupit A.
Tërbuni, që vjet militonte në Kategorinë Superiore, sot mban vendin e fundit në renditjen e Kategorisë së Parë, me vetëm 3 pikë të grumbulluara deri më tani, ndërsa lezhjanët, mbajnë vendin e dytë, me 21 pikë të marra në këto 10 javë të para, duke qenë 9 pikë prapa Kamzës kryesuese.