Gjergj Vyshka 02.12.2016 07:05
Grifin Rame është shansi i artë i Tiranës në basketboll për meshkuj, sepse me 3-pikëshin e tij, teksa kishin mbetur 11 sekonda nga fundi, i ka dhënë fitoren e 3-të bardhebluve në Ligën Ballkanike. E jo një fitore dosido, por një sukses me vlera përballë një kundërshtari me shumë peshë si Peja, jo vetëm në Ballkan, por dhe në Evropë. Madje një fitore me përmbysje, sepse në përfundim të dy pjesëve të para kundërshtari ishte në epërsi të 17 pikëve diferencë.
Por, që të përmbysësh, duhet të besosh. Dhe Tirana ka besuar deri në fund, ndërsa ka qenë me fat që gjuajtja e Ahmetbashiçit për 3 pikë nuk ka hyrë në kosh, ndërsa kishin mbetur një sekondë e dy të dhjetat. Topi në duart e Shimës dhe nuk ka më kohë për asgjë. Fitorja është për bardheblutë, që kështu kanë ngrohur atmosferën e ngrirë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. E kjo jo vetëm prej të ftohtit të acartë, aq sa pejanët kanë protestuar tek vëzhguesi e gjyqtarët për kushtet në të cilat do të luhej.
Por dhe për faktin se nuk ka pasur tifozë. Të gjithë kanë qenë në fakt të përqendruar tek derbi Tirana-Partizani, i ndërprerë prej fikjes së dritave në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, ndërsa bardheblutë e basketbollit të meshkujve kanë fituar për vetë, por dhe për të gjithë tifozët e tyre që me zemër ishin në “Asllan Rusi”. Një fitore e madhe, ndërsa Tirana, të paktën teorikisht është me një këmbë në turin e dytë të Ligës Ballkanike.
Liga Ballkanike (BIBL)
Basketboll – Meshkuj
Grupi B
Java e 5-të:
Tirana – Peja 76-73
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
1. Sutjeska Nikshiq 5 4 1 408-348 9
2. Tirana 6 3 3 421-460 9
3. MKK Feni Industries 5 3 2 399-342 8
4. Trepça Mitrovicë 5 2 3 345-377 7
5. Karposh Sokoli 6 1 5 433-520 7
6. Peja 3 2 1 245-213 5