AlbanianSport.com 01.12.2016 19:45
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit vendosi që të shtyjë derbin e kryeqytetit dhe takimi Tirana-Partizani do të luhet nesër në orën 14:00, duke nisur nga minuta e 63-të, kur dhe u ndërpre. 8 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt, në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet u ndërpre energjia elektrike. Kjo situatë erdhi për shkak të një defekti në të gjithë zonën e Tiranës së Re. Deri në minutën e 63-të, rezultati ishte i barabartë pa gola.
Bardheblutë ishin më të qartë në aksionet e tyre, ndërsa Partizani e rriti lojën e vet në pjesën e dytë. Kështu pra, supersfida e javës së 13-të i ka patur të gjitha, por jo gola. Të paktën, për këto të fundit duhet të presim deri nesër, sepse ka ende kohë. Kjo sepse erbi i Tiranës, mes skuadrës bardheblu dhe “të kuqve” të Partizanit është ndërprerë në minutën e 63-të për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në stadium. Që prej asaj minute, lojtarët kanë qëndruar për rreth 20 minuta në dhomat e zhveshjes.
Ata ishin në pritje të rikthimit të dritave, gjë që ndodhi për pak minuta, por pastaj pllakosi sërish errësira. Kjo bëri që FSHF-ja të merrte vendimin për ta ndërprerë derbin kryeqytetas, për t’i zbritur sërish skuadrat ditën e premte në orën 14:00, për të luajtur minutat e mbetura, afro 27 të tilla. Në fakt, vetë stadiumi kishte drita, e kjo u vu re në momentin që futbollistët e të dyja skuadrave iu drejtuan dhomave të zhveshjes, por pa energji mbetën kullat e ndriçimit.
Sidoqoftë, përmes errësirës, “Selman Stërmasi” ka dhuruar një spektakël nga shkallët e stadiumit, të cilat u ndriçuan të gjitha nga blicet e aparateve celularë të tifozëve të pranishëm, ndërkohë që në fushën e lojës gjithçka mes Tiranës dhe Partizanit ishte në barazim pa gola deri në minutën e 63-të. Tirana ishte më mirë në pjesën e parë, me disa raste të mira shënimi, por, drejt fundit të saj dhe me nisjen e pjesës së dytë, Partizani nisi të rrezikonte portën bardheblu.