AlbanianSport.com 01.12.2016 09:45
ASNN – Në Pallatin e Sportit “Tomor Sinani” të qytetit të Elbasanit u zhvillua në fundjavë Kupa e Shqipërisë në hendboll për meshkuj, ku morën pjesë 6 ekipe: Tirana, Vlora, Turgut Ozal, Elbasani, Kombinati dhe Cërriku. Ndeshjet u zhvilluan me sistem grumbullimi me dy grupe dhe eliminim direkt.
Në Grupin A bënin pjesë Elbasani, Kombinati dhe Vlora, ndërsa në grupin B ishin Cërriku, Turgut Ozal dhe Tirana. Në grupin A fitues doli skuadra e Elbasanit, teksa mundi fillimisht skuadrën e Vlorës 17-6 dhe më pas Kombinatin 20-5, duke siguruar në këtë mënyrë edhe finale e Kupës.
Ndërsa në grupin B fitues doli Cërriku, pasi mundi Tiranën 9-5. Në finalen e Kupës së Shqipërisë u përballën së bashku Elbasani me Cërrikun dhe në fund fitues u shpall skuadra e Elbasanit, teksa fitoi me rezultatin 29-19. Përballja brenda prefekturës ishte e rivalizuar nga të dyja ekipet, të cilat kërkuan deri në fund që të fitonin Kupën, por elbasanasit u treguan më të saktë.
Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje u mbyll 15-8 për Elbasanin dhe i gjithë takimi 29-19. Pas përfundimit të u përzgjodhën edhe 7 lojtarët më të mirë të Kupës, të cilët morën edhe diploma. Ata ishin Egidio Lame (27 gola-Elbasani), Klejtan Çekrezi (10 gola-Cërriku), Igli Lufta (Elbasani), Igli Hoxhaj (Vlora), Gerald Trimi (Tirana), Xhoan Byberi (Kombinati), Mikael Mema (Cërriku).