AlbanianSport.com 01.12.2016 08:50
ASNN – Dy rivalet për titull, Kukësi dhe Skënderbeu, këmbyen dje vendet në renditje, por janë në të njëjtën kuotë pikësh, 27. Ekipi verilindor, i drejtuar trajneri Ernest Gjoka, mundi në shtëpi Laçin me rezultatin 2-0 në sfidën e parë të javës së 13-të, të zhvilluar në Stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit.
Dvornekoviç dhe Emini ishin shënuesit në këtë triumf, që e kthen Kukësin në vendin e parë. Skënderbeu u ndal në fushën e Luftëtarit në një barazim pa gola. Skuadra gjirokastrite po zhvillon një kampionat të mirë, ndërsa ajo korçare ka humbur nga shkëlqimi i sezoneve të kaluar.
Skënderbeu kishte mungesa të rëndësishme për shkak dëmtimesh, mes tyre sulmuesi kryesor Hamdi Salihi. Ndërkaq, Flamurtari fitoi 2-1 me përmbysje ndaj Teutës. Durrsakët e mbyllën në epërsi minimale pjesën e parë, por pas pushimit, vlonjatët shënuan dy herë për të marrë 3 pikë në fushë kundërshtare.
Kurse Vllaznia konsolidoi pozitat në vendin e 5-të falë fitores 3-0 me vendin e fundit, Korabin. Sfida e zhvilluar në Shkodër u ndërpre për pak minuta, pasi në kullat e ndriçimit u fikën dritat. Në ta gjitha ndeshjet e Superligës u mbajt 1 minutë heshtje për të nderuar futbollistët e skuadrës braziliane Shapekoense, të cilët vdiqën në një aksident ajror në Kolumbi.