AlbanianSport.com 30.11.2016 08:50
ASNN – Ka 5 vite që në Lushnjë vazhdon përfaqësimi dinjitoz i sportit të bukur të karatesë në arenën kombëtare. Dhe kjo nëpërmjet shoqatës “Bijtë e Shqipes” të drejtuar nga presidenti Lirim Dedej. Të dielën në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” është zhvilluar Kampionati i 17-të Mbarëkombëtar i Karatesë dhe “Bijtë e Shqipes” kanë arritur të marrin 15 medalje nga të cilat 3 ari, 4 argjendi dhe 8 bronzi.
Dhe pas përfundimit të kësaj veprimtarie, Lirim Dedej, i cili është njëkohësisht dhe trajneri i kësaj skuadre, për “Sport Ekspres” do të theksonte: “Kam 5 vite që punoj në Lushnjë me shoqatën “Bijtë e Shqipes”. Jam i kënaqur me dëshirën dhe pjesëmarrjen e sportistëve të vegjël nga mosha 8-18 vjeç, që janë regjistruar dhe stërviten në shoqatën time në Lushnjë dhe në fshatrat përreth zonës që mbulon Bashkia e këtij qyteti.”
“Nga kjo punë profesionale rezultatet kanë filluar të dalin në dritë, – ka vijuar ai. – Në kampionatin e 17-të Mbarëkombëtar të Karatesë, ekipi që unë sponsorizoj dhe e drejtoj si trajner ka dalë me rezultate të shkëlqyera. Janë marrë 15 medalje në total nga karateistët lushnjarë. Kështu 3 medalje ari nga Armen Muça, Ergi Dedej dhe Ridvan Muça.”
“4 medalje argjendi nga Ermelinda Kadiu, Daniel Gjolena, Redo Feracaku dhe Fjoralba Kokja, – ka sqaruar Dedej. – 8 medalje bronzi nga Emiliano Kusho, Xhesion Uku, Ticiano Dedej, Ditjan Dyli, Demir Bali, Arben Kaja, Shefit Dedej dhe Frederik Kaja. Natyrisht këto arritje na kënaqin, por ne shpresojmë që në veprimtaritë e ardhshme të kemi më shumë medalje.”
“Më 9 dhjetor ekipi që unë drejtoj dhe sponsorizoj do të marrë pjesë në Ballkaniadën e Karatesë e të gjithë grupmoshave, e cila do të zhvillohet në Sarajevë. Shpresojmë që të bëjmë një ballafaqim dinjitoz dhe të kthehemi me sa më shumë medalje nga ky eveniment ndërkombëtar”, – ka përfunduar Lirim Dedej, i cili është njëkohësisht edhe presidenti edhe trajneri i kësaj skuadre të arteve marciale.