Gjergj Vyshka 29.11.2016 10:40
Romario Noka, taekondisti i peshës -59 kg, edhe në Kupën e Shqipërisë, e cila është zhvilluar të dielën në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” ka qenë i padiskutueshëm. Ka dalë fitues duke mos diskutuar askënd në peshën e tij, ndërsa përfaqëson Dinamon me trajner Elvis Vulka. Një sportist mjeshtër i gradës 4 dan dhe që në fakt është dhe kampion i Shqipërisë.
Por jo vetëm kaq, i tillë ka qenë edhe në veprimtaritë ndërkombëtare, ndërsa Vulka bën të ditur se gjatë vitit ka marrë dy medalje ari në turneun ndërkombëtar të Malit të Zi. Po kështu i tillë edhe në turneun e hapur ndërkombëtar të Selanikut dhe përfaqësim dinjitoz në të gjitha veprimtaritë. Mbi të gjitha ka qenë sportisti më i mirë i kampionatit kombëtar në kategorinë e të rriturve.
“Tashmë që ai do të dalë në kategorinë e të rriturve, – thotë Vulka, – objektivat dhe ambiciet rriten. Dhe unë mendoj se është një sportist i perspektivës, që në të gjitha veprimtaritë ku do të konkurrojë Shqipëria të nderon”. E pavarësisht se nuk është zgjedhur sportisti më i mirë i kategorisë së të rinjve, Romario Noka është kampion i padiskutueshëm duke e mbajtur gjallë taekuondonë e Dinamos.