AlbanianSport.com 26.11.2016 17:20
ASNN – Është kthyer në parket pas mëse dy muajsh, ka luajtur vetëm 22 minuta e 23 sekonda, domethënë, pak më tepër sesa gjysmën e ndeshjes, por edhe kaq i ka mjaftuar për të shënuar 17 pikë, duke qenë një nga 3 shënueset më të mira të skuadrës së saj në fitoren 95-55 që Flamurtari arriti në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë në Basketboll për Femra.
Në ndeshjen që u luajt sot paradreke në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, Elektra Zykaj është rikthyer, duke kontribuuar po aq sa blerja më e fundit, serbja Dara Marjanoviç, por edhe Aida Palko. Nga 10 pikë kontribuuan në këtë fitore edhe Myrto dhe serbja tjetër, Çorto. “Të them të drejtën më kishte marrë malli, ndonëse jam treguar e kujdesshme pas dëmtimit që kalova”, – ka rrëfyer 26-vjeçarja për AlbanianSport.com.
“Por u ndjeva mirë dhe pata një rendiment të pëlqyeshëm, – ka vijuar ajo. – Shpresoj që të vazhdoj kështu edhe në finalen e së martës.” Në këtë finale, Flamurtari do të përballet me rivalen e sezonit të shkuara dhe të këtij sezoni, Goga Basketin, e cila, në gjysmëfinalen tjetër ka mposhtur Tiranën me rezultatin 95-61. “Pres një përballje të fortë”, – ka vijuar Zykaj, duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.com.
“Ne kemi marrë dy lojtare serbe, por edhe Goga Basket ka marrë dy përforcime të huaja, një boshnjake dhe një amerikane, – ka theksuar qendra 1 m e 81 cm e lartë. – Edhe mënyra sesi të dy skuadrat tona fituan në gjysmëfinale, premton rivalitet në finalen e së martës. – Megjithatë, Flamurtari mbetet skuadra për t’u mundur.” Finalja Flamurtari-Goga Basket do të luhet të martën pasdite, duke nisur nga ora 16:00.