Gjergj Vyshka 26.11.2016 17:55
Takimi Tirana-Peja, e vlefshme për Ligën Ballkanike në Basketboll për Meshkuj (BIBL), e cila është ndeshja e 6-të, do të zhvillohet në ora 19:00 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Kështu ka lajmëruar menaxheri i përgjithshëm i klubit bardheblu të basketbollit, Anxhelo Koleka.
Por problemi kryesor është se zhvillimi i derbit Tirana-Partizani të enjten në ora 18:00 krijon pështjellime për ardhjen e tifozëve. “Jam i vetëdijshëm, – thotë Koleka, – që derbi do të na krijojë vështirësi. Kam folur me “Fanatiksat” dhe e kanë të pamundur për arsye të derbit.”
“Nuk mund ta shtyjmë këtë ndeshje, sepse kam folur dhe me (drejtorin e BIBL-së), Shtriks, por nuk mund të ndodhë një gjë e tillë, – ka sqaruar ai. – Mos harroni që të martën e të mërkurën kemi Kupën e Shqipërisë, të enjten jemi me Pejën në Ligën Ballkanike dhe të shtunën me Kamza Basketin për kampionat.”
“Hapësira nuk ka, kështu që do t’i pranojmë këto kushte”, – ka përfunduar Koleka. Dhe në fakt për shkak të derbit të futbollit Tirana-Partizani ka vështirësi transmetimi, sepse kjo ndeshje do të jetë në rrjetin e Radiotelevizionit Shqiptar. E megjithatë bardheblutë pretendojnë të fitojnë ndaj Pejës.