AlbanianSport.com 26.11.2016 10:25
ASNN – Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Meshkuj ka mbyllur të shtunën fazën e parë të tij me dy ndeshjet e fundit të javës së 9-të dhe Partizani ruan bilancin prej 100 % fitoresh, pasi mposhtur në 3 sete Teutën në ndeshjen e luajtur në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës dhe kryeson me pikë të plota, 24.
Në takimin tjetër të luajtur të shtunën, edhe Vllaznia ka mposhtur në 3 sete Elbasanin në fushën e këtij të fundit dhe tanimë ngjitet në vendin e tretë të renditjes, me 16 pikë, dy më pak sesa Farka Volej e vendit të dytë, një më tepër sesa Tirana e vendit të 4-t dhe dy më tepër sesa kampionia në fuqi, Studenti, që aktualisht është në vendin e 5-të dhe jashtë zonës së play-off-it final për titull.
Të premten, Farka Volej e ka falur një set me Erzenin, por më pas, e shkundur mirë nga trajneri Dritan Bardhi, ia del të jetë fituese 3-1. Madje me diferenca të thella, aq sa ndeshja është kthyer në një seancë stërvitore për djemtë e Dritan Bardhit. Dhe përfundimet e seteve nuk lënë vend për shumë koment. Një ndeshje që ka shkuar 1 orë e 38 minuta, por që pas setit të parë nuk ka pasur kurrfarë historie.
Kurse bardheblutë kryeqytetas të drejtuar nga trajneri Ilo Koja, jo vetëm që kanë fituar pastër 3-0 me kampionët në fuqi, por kanë vërtetuar se janë gjithnjë në këmbë dhe kur kanë “hemorragji” lojtarësh. Madje duke e ditur se një pjesë e mirë e lojtarëve të sotëm të Studentit të Sakos kanë qenë sezonin e kaluar pjesë e Tiranës, atëherë është dukur sikur ka luajtur skuadra A dhe B e bardhebluve.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Java e 9-të
(25-26 nëntor 2016)
Të premten:
Farka Volej – Erzeni 3-1
Tirana – Studenti 3-0
Të shtunën:
Elbasani – Vllaznia 0-3
Teuta – Partizani 0-3
Skënderbeu pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Partizani 8 8 0 24-2 24
- Farka Volej 8 6 2 20-9 18
- Vllaznia 8 5 3 18-11 16
- Tirana 8 5 3 18-11 15
- Studenti 8 5 3 15-14 14
- Erzeni 8 4 4 16-14 12
- Skënderbeu 8 2 6 6-20 6
- Teuta 8 1 7 6-23 2
- Elbasani 8 0 7 4-24 1