AlbanianSport.com 25.11.2016 19:35
ASNN – Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Meshkuj ka luajtur sot dy ndeshjet e para të javës së tij të 9-të, që është edhe java e fundit e fazës së parë të tij. Të dy këto ndeshje janë sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin e dytë tokësor, TVSH 2, dhe atë RTSH Sport të platformës dixhitale të transmetuesit publik.
Kështu, në takimin që nisi në ora 18:00, Tirana ka mundur në 3 sete Studentin, duke konfirmuar kështu krizën e kampionëve në fuqi të volejbollit shqiptar të meshkujve. Bardheblutë i kanë fituar 3 setet me shifrat përkatëse 25-17, 25-22 dhe 25-20. Në setin e parë, skuadra bardheblu e ka shtangur Studentin, duke kryesuar vazhdimisht dhe duke e fituar bindshëm atë.
Skuadra e trajnerit Ben Sako kundërpërgjigjet në setin e dytë, të cilin e kryeson në shumicën dërrmuese të kohës, por vijon ta humbasë në pikët e fundit. Studenti është nervoz në setin e tretë dhe skuadra e trajnerit Ilo Koja përfiton, duke e fituar atë dhe gjithë ndeshjen në 3 sete, madje edhe në një kohë të shkurtër, në diçka pak më tepër se një orë.
Ndërkaq, në takimin që u luajt më herët, duke nisur nga ora 16:00, Farka Voleji ka mundur Erzenin me rezultatin 3-1. Shijakasit e kanë fituar setin e parë, 26-24, por Farka Volej, e drejtuar nga trajneri pasionant, Dritan Bardhi, ka përmbysur gjithçka në 3 setet e tjera, përkatësisht 25-15, 25-12 dhe 25-19, duke e fituar kështu gjithë takimin në 4 sete.
Të dy këto ndeshje erdhën në transmetimin e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar në komentin e veteranit Vladimir Grillo dhe gazetarit të njohur sportiv, Gjergj Vyshka.