AlbanianSport.com 25.11.2016 18:45
ASNN – Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Basketbollit, i mbledhur dje edhe me tagrin e një trupe Apeli, ka zbutur vendimet e dhëna nga Komisioni i Disiplinës në lidhje me ngjarjet e ndodhura në Shkodër fundjavën e kaluar gjatë ndeshjes Vllaznia-Tirana, që u fitua nga bardheblutë me shifrtat 66-84. Por kjo mbledhje, ka qenë mbi të gjitha për grushtet mes trajnerit të Vllaznisë, Bledar Gjeçaj, dhe basketbollistit të Tiranës, Erkand Karaj.
Ditën e hënë, Komisioni i Disiplinës pranë kësaj Federate, i kishte dënuar të dy protagonistët e sherrit nga 6 muaj pezullim secili , si dhe me gjobë nga 50,000 lekë për Karajin dhe 70,000 lekë për Gjeçajn. Jo vetëm kaq, por Disiplina kishte gjobitur në masën 30.000 lekë të rinj katër lojtarët e dënuar me gabime përjashtimi Xhonson e Shimën të Tiranës, si dhe Ndojën e Dod Lekndreajn e Vllaznisë. Madje Ndoja ishte pezulluar 3 ndeshje për nisjen e sherrit.
Por ndodh dhe vjen zbutja. Kështu Komiteti Ekzekutiv ka marrë këto vendime: Trajnerit të Vllaznisë, Bledar Gjeçajt, i zbritet dënimi nga 6, në 3 muaj dhe mbetet masa 70.000 lekë gjobë. Trajneri i Vllaznisë, Bledar Gjeçaj, ka të drejtë të rikthehet në drejtim kundrejt pagesës 10.000 lekë të rinj në muaj për tremujorin e mbetur. Lojtari i bardhebluve, Erkand Karaj, dënohet me 50.000 lekë të rinj dhe i hiqet dënimi prej 6 muajsh pezullim.
Lojtarët Ndoja, Dod Lekndreaj, Shima dhe Xhonson paguajnë gjobën prej 30.000 lekë të rinj dhe dënimet përkatëse me teknikë dhe teknik përjashtimi. Lojtarit Ndoja i hiqet dënimi prej 3 ndeshjesh. Dhe ky vendim është firmosur nga presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, si dhe anëtarët e Komitetit Drejtues Vaso Shaka, Juel Jarani dhe Edmond Biçoku. Një zbutje e vendimeve që ndihmon në rivalitetin në Kupën e Shqipërisë, por që nuk e heqin njollën e grushtit dhe të incidenteve që ndodhen në Shkodër.