AlbanianSport.com 25.11.2016 17:55
ASNN – Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Meshkuj luan sot dy ndeshjet e para të javës së tij të 9-të, që është edhe java e fundit e fazës së parë të tij. Të dy këto ndeshje po sillen për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin e dytë tokësor, TVSH 2, dhe atë RTSH Sport të platformës dixhitale të transmetuesit publik.
Kështu, në takimin që u luajt duke nisur nga ora 16:00, Farka Voleji ka mundur Erzenin me rezultatin 3-1. Ndeshja ka premtuar të jetë mjaft e barazpeshuar, pasi janë shijakasit ata që e kanë fituar setin e parë, 26-24, por Farka Volej, e drejtuar nga trajneri pasionant, Dritan Bardhi, ka përmbysur gjithçka në 3 setet e tjera.
Duket se trajneri Bardhi e ka shkundur mirë skuadrën në pushimin midis dy seteve, pasi skuadra e tij ka dalë krejt ndryshe në setin e dytë dhe në vazhdim. Farka Volej e ka kryesuar dhe fituar bindshëm setin e dytë, me shifrat 25-15, duke vijuar të dominojë edhe më tepër në setin e tretë, të cilin e fiton edhe më thellë, 25-12.
Erzeni përpiqet të bëjë diçka më tepër në setin e katërt, por nuk mjafton pasi Farka Volej e fiton 25-19, duke e fituar kështu gjithë takimin me rezultatin e përgjithshëm 3-1. Ndërkaq, në takimin që nis në ora 18:00, Tirana do të përballet me Studentin, në duelin e finalisteve të sezonit të shkuar që kanë zhgënjyer deri më tani.