AlbanianSport.com 24.11.2016 17:55
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, përfaqësuesja e Kosovës në basketboll për meshkuj do të drejtohet nga një trajner i huaj në të ardhmen. Këtë e ka paralajmëruar të mërkurën kreu i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu.
Ai nuk ka dhënë ndonjë emër si kandidat i mundshëm, por ka shtuar se po ndjek situatën e katër të huajve për postin e trajnerut, që është aktualisht bosh. Arben Krasniqi, që ishte në krye të Kosovës gjatë Eliminatoreve për “Eurobasket 2017”, ka pasur kontratë me FBK-në deri më 1 tetor 2016.
Pas zhgënjimit në grupin e saj të Eliminatoreve, ku, përtej pritshmërive, e mbylli pa fitore, Kosova duket se do të ndjekë shembullin e Shqipërisë, e cila, nën drejtimin e trajnerit qipriot, ish-trajnerit të SIGAL Prishtinës, Antonis Konstandinides, mori një fitore ndaj Sllovakisë në një grup të vështirë me Malin e Zi dhe Gjeorgjinë.