AlbanianSport.com 07.11.2014 12:30
ASNN – Në një kampionat shqiptar ndodhin edhe çudira të tilla që të kujtojnë atë shprehjen: “Koka në Stamboll e trupi në Janinë…”. Kështu ndodh dhe me Sopotin e Librazhdit, të cilit i ka mbetur vetëm emri në qytet. Sepse të gjitha ndeshjet i luan në Fushën Sportive “Nexhip Trungu” të Cërrikut, në një kohë që Federata Shqiptare e Futbollit nuk e ka lejuar këtë skuadër të luajë në qytetin e vet.
Sepse stadiumi i Librazhdit nuk i plotëson standardet e kërkuara nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në fakt rezultatet e pesë javëve kanë qenë pozitive, ndërsa Sopoti ka marrë dy fitore, si dhe tre barazime. Por sikur të mos mjaftonte kjo, skuadra prej dy javësh është duke u stërvitur në Tiranë në ish-kompleksin “Dinamo”.
Dhe në të tilla kushte kur një skuadër nuk ka ambjente për stërvitje, apo dhe ekipe zinxhir, ka vetëm emrin. Ndonëse lojtarët janë të kënaqur me kushtet e krijuara deri më tani nga drejtuesit e ekipit. Stërvitja në Tiranë është gjetur si zgjidhje nga sponsorët e ekipit.