Nga FATMIR EFICA 24.11.2016 08:45
Lajtmotivi miqësi, respekt, përsosmëri, përvojë e çmuar për delegacionin shqiptar në kryeqytetin e Greqisë, Athinë
…vijon nga dje
SPORTI
Nuk mungoi organizimi spontan i disa ndeshjeve në volejboll, basketboll, minifutboll, shah, pingpong, etj. Të ndarë në grupe të vogla gjithkush gjeti vendin e kohën të ushtrohet me pasionin që e karakterizonte. Ta impononin natyrisht kushtet t’i riktheheshe dëshirës që të bëje drejtpërdrejt lojtari(e)n, apo gjyqtari(e)n. Përmes edhe shumë batutave ndeshjet sollën një tjetër kënaqësi më shumë të stileve e përvojave të ndryshme të ndërtimit të skuadrës mbi bazën e njohjes së parë direkt në kushte loje.
VLERËSIMI
“Veprimtari e veçantë në llojin e saj, që na vlejti shumë”, u shpreh mësuesja Eglanina Çuni nga Elbasani. Veprimtaritë olimpike, sipas prof. Petrit Qendros, janë festa ku masiviteti, numrat, figuracionet shërbejnë si ABC-ja e praktikës së të gjitha veprimtarive fizike. Xhorxhi Lekbello nga Drejtoria Arsimore Tiranë pohon se veprimtaritë e larmishme në kryeqytet e rrethinat e tij kanë pasur si bazë eksperiencën pozitive të grumbulluar në vite.
Edmond Karanxha nga shkolla “Fan S.Noli” Tiranë tregon se si bëhet përzgjedhja specifike e sporteve dhe mbi të gjitha përmirësimin e infrastrukturës duke ngritur së fundmi një palestër moderne, të përuruar vetëm pak kohë më parë. Ish-futbollisti i Vllaznisë, Endri Çaku, paraqiti argumente mjaft interesante për traditën e madhe sportive në Shkodër, një qytet me “gen” të mirëfilltë olimpik. Bardhok Pulaj nga Drejtoria Arsimore Lezhë nënvizoi rikthimin e vëmendjes te masiviteti e larmishmëria e sporteve për gjallërimin e jetës olimpike në shkolla.
Brunilda Dhamo nga Drejtoria Arsimore Fier dhe Gentian Dërvishaj nga Zyra Arsimore Mallakastër propozuan se në Apoloni dhe Bylis vendet janë ideale për të organizuar së shpejti Ditët Olimpike me përmasa mbarëkombëtare. “Aktivitetet olimpike janë gërshetuar mirë edhe me informacionin e ndërsjellë për të plotësuar jo vetëm ide, por mbi bazë praktikimi të veprimtarive të parealizuara më parë”, – theksoi mësuesja Nina Bano.
MBRESA
Takimi në Olimp do mbetet i paharruar për delegacionin sportiv shqiptar. Jo vetëm në aspektin profesional, mbi kënaqësinë e përfitimit dhe shkëmbimit të përvojave në interes së përmirësimit të punës së përditshme, por edhe në evidentimin e anëve të panjohura që kush më shumë se njerëzit që merren me sport dinë t’i shpalosin. Duket se morën miratim shumë ide konkrete për zbatimin e programeve dhe praktikave sportive.