AlbanianSport.com 24.11.2016 07:05
ASNN – “Saga” e Flamurtarit, që rrezikonte edhe rënien nga Kategoria Superiore, pas zbritjes së 6 pikëve, është mbyllur mbrëmë, me klubin vlonjat që ka rënë dakord për shlyerjen e borxheve kundrejt 4 ish-futbollistëve, që kapnin shumën e afro 120 mijë eurove.
Flamurtarti ka shmangur më të keqen, që do të ishte zbritja një kategori më poshtë, për shkak të borxheve të pashlyera kundrejt 4 ish-futbollistëve, që kapnin shumën e afro 120 mijë eurove. Kjo u bë e mundur pas marrëveshjes që klubi vlonjat ka arritur me Federatën Shqiptare të Futbollit, ndërsa pagesa e kësaj shumë do të bëhet në dy faza.
Bëhet fjalë për futbollistët Franc Veliu, Artan Sakaj, Polizoi Arbri dhe Erion Vucaj, të cilët kanë marrë dje gjysmën e vlerës që u detyrohet klubi vlonjat, ndërsa gjysmën tjetër Flamurtari do t’ua shlyejë brenda janarit të vitit të ardhshëm. Ndonëse marrëveshja mbi këtë çështje është arritur që më datë 19 nëntor, ajo është bërë publike vetëm mbrëmë dhe është konfirmuar edhe nga vetë futbollistët.
Këta të fundit kanë firmosur edhe një shkresë drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit, ku bëjnë të ditur se tërhiqen nga padia që kanë bërë ndaj klubit vlonjat. Pas kësaj, Flamurtari shpreson t’i rikthehen edhe 6 pikët e zbritura nga renditja si ndëshkim nga ana e Komisionit të Disiplinës pranë organizmit që qeveris futbollin në vend.