AlbanianSport.com 07.11.2014 11:35
ASNN – Tifozët matjanë janë të mendimit se ndëshkimet nga Federata Shqiptare e Futbollit për Burrelin kanë qenë të vazhdueshme dhe të rënda. Prej vitesh, sidomos këtë sezon, ekipi po ndëshkohet rast pas rasti. Duke ju referuar vendimeve të fundit të Komisionit të Disiplinës, tifozët burrelas rendisin të gjitha “ndëshkimet” e FSHF-së për skuadrën e Gjonit. “Kampionati u shty për likujdimin e detyrimeve ndaj Federatës dhe plotësimin e kushteve të stadiumeve, – theksojnë tifozët matjanë. – U ndëshkua Ada dhe u lejua Mamurrasi.”
“Ndërkohë u lejuan të fillojnë kampionatin skuadra që i detyrohen FSHF me miliona lekë. Ndëshkimi i dytë për matjanët vjen në ndeshjen e javës së dytë. Mamurrasi nuk plotëson asnjë kusht për fillimin e kampionatit dhe i jepen tri pikë në tavolinë. Në ndeshjen me Veleçikun, që do të luhej në Krujë, ndeshja filloi 40 minuta me vonesë sepse nuk kishte forca sigurie. Ndërkohë kulmi arriti në javën e pestë kur kryesori Blerim Ziri ishte totalisht në krah të Tërbunit, çka solli irritimin e tifozëve dhe stafit teknik”, thonë tifozët e Burrelit.
Sipas tyre ndëshkimi i mbrojtësit Qendro me një vit pezullim dhe ndëshkimi i skuadrës për të luajtur katër ndeshje pa tifozë është i pamerituar dhe tendecioz. “Na është krijuar bindja se individë dhe struktura të caktuara pranë Federatës kanë antipati për Burrelin. Sa herë u mbërrin një relacion nga zyrtarë të saj marrin masa drastike. Sakaq ka ekipe që ledhatohen dhe tolerohen pafundësisht”, – shtojnë tifozët e skuadrës verilindore.