Gjergj Vyshka 21.11.2016 12:35
Tirana ka nisur përgatitjet e saj për ndeshjen e radhës në Ligën Ballkanike. Pikërisht të enjten do të jetë në Mitrovicë për ndeshjen e parë të kthimit, ndërsa do të përballet me Trepçën. Për menaxherin e përgjithshëm të klubit bardheblu, Anxhelo Koleka, ngjarjet e ndodhura të premten në mbrëmje në Shkodër nuk ndikojnë fare në anën psikologjike të lojtarëve.
“Së pari, – thotë Koleka, – ne ishim të kënaqur me punën e trajnerit Petrovski, por nuk na dha atë që ne prisnim. Zgjedhja për të marrë trajnerin Nikola Milatoviç është sepse ne kemi së bashku me të një projekt të madh jo vetëm në Ballkan, por dhe për Tiranën në Evropë. Dhe shpresojmë të na japi frytet e duhura. Ndeshja në Mitrovicë nuk është e lehtë, por ne do të shkojmë për të fituar.”
“Aq më tepër që Trepça fitoi me Sutjeskën javën e kaluar, – ka vijuar Koleka. – Nuk është ndeshje e lehtë, por ne shpresojmë ta kalojmë me sukses”. Tirana ka fituar ndeshjen e parë me Trepçën e Mitrovicës, më 10 tetor 2016, në “Asllan Rusi”, me shifrat 78-66. E më pas ka humbur 3 radhazi, 57-98 me MKK Feni Industries, 61-77 me Sutjeskën e Nikshiqit, 74-78 me Karposh Sokolin 2000.