Gjergj Vyshka 21.11.2016 07:05
Vllaznia-Tirana në basketboll për meshkuj, një ndeshje që është kthyer në arenë boksi dhe përleshje masive në parket, atje ku u dënuan me gabime përjashtimi 4 lojtarë, është përsëri në qendër të diskutimeve. Nëse në Shkodër kanë deklaruar se protagonistë të sherrit janë bardheblutë, për më tepër Erkand Karaj, tiranasit kanë një tjetër mendim.
Me pamje filmike, të cilat janë shpërndarë që të shtunën në mbrëmje nga rrjetin social “Facebook” nga klubi i basketbollit të meshkujve të Tiranës, duket qartë që në momentin e konfrontimit të lojtarëve në anë të tjera të fushës ka një përballjes mes Karajt dhe trajnerit Gjeçaj deri në shtyrje. Dhe është trajneri i Vllaznisë, Gjeçaj, që e ka goditur kapitenin e Tiranës, e më pas ka ardhur kundërpërgjigja e lojtarit bardheblu.
Sigurisht që në Federatën Shqiptare të Basketbollit kanë ardhur dhe pamje të servirura nga të gjitha anët, atje ku ka pasur dhe prerje të pamjeve për interesa të caktuara. Për rrjedhojë Tirana ka dalë në mbrojtje të kapitenit Erkand Karaj, një lojtar i përvojës dhe që ka vite që kontribuon në basketbollin shqiptar. E jo vetëm me Tiranën, Valbonën dhe Prishtinën, por dhe me Kamza Basketin.
Me të cilën sezonin e kaluar ka fituar Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën e Shqipërisë. Sigurisht që fajtor pa faj në këtë sherr që ka përfshirë të dyja skuadrat nuk ka. Por në momentin që grushti vjen nga trajneri i një skuadre, në këtë rast ai i Vllaznisë, Bledar Gjeçaj, gjërat nuk janë normale. Aq më tepër që gjithçka ka ndodhur në krahun e stolit bardheblu, ku në fakt shkohet për të ndarë lojtarët e për të mos ndezur sherrin më tepër.
Ndaj dhe Tirana e ka parë të udhës që të mbrojë kapitenin e vet. Me të drejtë, apo jo, pritet që për gjithçka që ka ndodhur të marrin vendim Komisionet e Federatës Shqiptare të Basketbollit gjithnjë mbi bazën e relacioneve të gjyqtarëve të ndeshjes Marli Kasëmi, Olti Kasmi dhe Andi Bejko dhe vëzhguesit.