Gjergj Vyshka 20.11.2016 15:25
Shqipëria e basketit të femrave nuk del nga vazhda e disfatave të thella. Humbja e 5-të mbrëmë për vajzat kuqezi, ndërsa Mali i Zi i ka mundur në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, me 58 pikë diferencë. E vetmja arritje për këtë kombëtare është fakti se arrin të shënojë 56 pikë.
Xhelal Kalaja, trajneri i kombëtares së femrave të Shqipërisë, ka pranuar se ky është niveli i basketbollit të vajzave në vendin tonë. E megjithatë ai pranon se ka progres. “Unë jam i kënaqur për atë që kanë dhënë vajzat në fushën e lojës, – ka thënë trajneri, i cili zëvendësoi pak ditë më parë në këtë detyrë Erdal Borovën.
“Është vetëm një javë punë, – ka vijuar Kalaja. – Është një skuadër që ka mungesa për shkak dëmtimesh, luan pa qendra. Dhe si e tillë nuk mund të bënte më shumë. Kishim përballë kundërshtare thuajse dy-metroshe. I kemi provuar të gjitha mënyrat e mbrojtjes, zonale dhe individuale, ose një për një.”
“Por ka qenë e vështirë. Sigurisht që do të jetë e vështirë me Britaninë e Madhe. Do të shohim për të gjetur mënyrën më të mirë në mbrojtje. Ka shumë për të bërë dhe kjo kombëtare nuk mund të ndryshohet për një javë”, – ka përfunduar trajneri i vajzave kuqezi, Xhelal Kalaja.