Përjashtohen katër lojtarë, dy për çdo skuadër, me gabime teknike, ndërsa parketi është kthyer në arenë përleshjeje. Bardheblutë largohen me polici nga kryeqendra e Veriut. “Mendoj që ndeshja filloi shumë mirë, ka deklaruar Drejtor i Klubit Shumësportësh “Vllaznia”, – Mark Kroqi. – Djemtë tanë luajtën jashtëzakonisht mirë deri në momentin që ndodhi një incident shumë i padëshiruar, jo vetem për ne por për të gjithë opinionin.”
“Të them të vërtetën, unë nuk e kam parë sepse ishte një moment i tensionuar, por do të duhet ta shoh më mirë në pamjet filmike për t’u qartësuar për situatën në fjalë, – ka vijuar ai. – Sidoqoftë, aty filloi edhe kthesa për keq për ekipin e Vllaznisë, ku lojtarët lëshuan shumë dhe rezultati erdhi duke degraduar deri në momentin e fundit të lojës. Dua të them se nuk e ka pasur asnjëherë traditë Shkodra këtë lloj konfrontimi dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë mes këtyre dy skuadrave.”
Ndërsa homologu i tij, Drejtori i Klubit Shumësportësh “Tirana”, Spiro Koleka, tha: “Më vjen keq që pati një incident, i cili nuk është normal për qytetin e Shkodrës me sportivitetin dhe qytetarinë që ka. Mendoj që skuadra e jonë e Tiranës është pak më lart se të gjithë skuadrat e tjera sot në Shqipëri. Vllaznia është e dyta dhe ajo duhet t’i përballojë e t’i vihet si kundërshtar i vertete i Tiranës në vazhdimësinë për të gjithë trofetë që janë përpara.”
“Nuk kam parë asgjë nga incidenti, por më vjen keq shumë për qytetarinë e Shkodrës sepse kam luajtur 25 vjet dhe nuk kam dëgjuar ndonjëherë atë që kam dëgjuar sot, – ka pohuar drejtuesi i bardhebluve të kryeqytetit. – Incidentin nuk e kam parë dhe nuk mund të prononcohem, por më vjen shumë turp për këtë që ndodhi.”